–Shkruar nga Imena Kërpica–
Për shekuj me radhë shoqëritë e kohëve të ndryshme i kanë admiruar figurat heroike duke nisur që nga perëndite mitike të tragjedisë greke e deri te luftëtarët legjendarë po ashtu edhe drejtues mitik të kohërave dhe epokave të ndryshme. Këto narrativa e ndodhira të hershme vendosën standardin për atë çfarë është të adhurosh e idealizosh individin i cili zotëron aftësi e virtyte të jashtëzakonshme.
Shekulli XX dhe XXI e amplifikoi këtë dukuri nëpërmjet librave me ilustrime, filmave edhe programeve televizive duke shfaqur superheronjë të ndryshëm si simbole të drejtësisë, qëndresës, këmbënguljes, dhe forcës. Figura të tilla si Superman, Batman, Wonder Woman, midis shumë të tjerëve, u bënë ikona duke u veshur me cilësi të tilla frymëzuese edhe të pamundura në jetën reale.
Kultura e sotme kontemporane i ka dhënë një vlerë të re vetë–përmirësimit dhe vetërealizimit duke trajtuar tema të cilat vendosin në qendër karrierën, arritjen e punës së ëndrrave, ndërtimini një biznesi privat dhe arritjen e vetëaktualizimit nëpërmjet sipërmarrjes private. Kjo nxitje ka nisur kryesisht nga platformat sociale ku ne shpesh bombardohemi me imazhe të kuruara në të cilat suksesi dhe aftësia për të ndërtuar një mjedis ku shfaqesh “supernjeri” duartrokitet edhe vlerësohet. Në shumë shoqëri të ndryshme moderne, të punuarit pa u lodhur dhe të sakrifikuarit e mirëqënies personale për një të mirë më të madhe materiale ose për një sukses më të madh profesional tashmë quhet arritje edhe sukses të cilit i jepen nota të larta. Në një kohë si kjo e jona e cila përkufizohet nga ky ritëm i shfrenuar. nga pritshmëri jorealiste, edhe nga një dëshirë e ambicie për të ndjekur pambarimisht arritjen e perfeksionit që në vetvete është po ashtu një iluzion, miti i të qenurit një superhero ka pushtuar psikikën e kolektivit.
Ne idealizojmë figura të cilat duket sikur kanë çdo gjë nën kontroll, të cilët dinë se si të balancojnë në mënyre të natyrshme edhe pa u lodhur karrierën, jetën personale, marrëdhëniet, kujdesin ndaj vetes dhe impaktin social edhe i bëjnë të gjitha këto duke ruajtur një staturë e një qëndrim të pathyeshëm e të patundur. Kjo është një histori e cila na josh të gjithëve për të besuar që nëse nuk jemi produktivë dhe aktivë gjatë gjithë kohës atëherë jemi duke humbur kohë edhe jeta po na rrëshket nga duart pa e kuptuar ndërkohë që të tjerët janë duke shijuar “suksesin”.
Por çfarë do të thotë në të vërtetë të jesh një “superhero” në botën e sotme? Dhe me çfarë kostosh mund ta “blejmë” këtë ideal të ri? Në të vërtetë ambicia edhe vrapimi për të përmbushur pritshmëritë e të qenurit superhero zakonisht vijnë me stres, sfilitje edhe një ndjesi pushtuese e të mos qënurit kurrë mjaftueshëm apo i përshtatshëm. Ky version i superheroit dhe version i suksesit i prezantuar në media ka bërë që qasja jonë personale e autentike e suksesit edhe e arritjeve të çekuilibrohet dhe të jetë e induktuar së jashtmi nga informacione që truri ynë percepton nga ajo çfarë ai konsumon.
Po sikur superhero të jetë ai individ i cili nuk bën pakt me atë që atij i serviret së jashtmi? Po sikur superhero të jetë ai individ i cili është aq shumë në kontakt me versionin e tij, me veten e tij autentike dhe që i del kundër normave të induktuara duke i qëndruar besnik principeve e virtyteve personale të cilat ndoshta për tu kategorizuar në versionin mediatik të superheroit nuk do ta kualifikonin?
Një superhero ndoshta është ai individ i cili e përqafon edhe nuk e lufton vulnerabilitetin por e celebron atë si një nga cilësitë e tij të rralla. Ai e di që të njohësh vulnerabilitetin tënd dhe të kërkosh ndihmë kur ke nevojë për të janë vepra të cilat kërkojnë guxim edhe çfarë e karakterizon më tepër një hero se sa një akt guximtar?! Heroizmi i vërtetë nuk është ai që na mëson të hiqemi si të gjithëpushtetshëm me asnjë mundësi për tu mundur, por është ai që është në dijeni të sfidave edhe limiteve të veta. Produktiviteti i cili vjen si pasojë e një ndjekjeje që kompromenton mirëqënien edhe shendetin nuk është fokusi i heroit të vërtetë modern sepse ai vlerëson dhe dëgjon trupin e tij dhe di të pushojë kur nuk mundet, të kujdeset për veten edhe për të qënurit mirë.
Momentet e qetësisë edhe paqes janë pjesë thelbësore e një jete të shëndetshme dhe të suksesshme sepse suksesi merr një tjetër kuptim duke u larguar nga përkufizimet të cilat janë të lidhura ngushtë me arritje konstante e të vazhdueshme dhe ti fillon e gjithnjë e më tepër të vlerësosh rritjen personale, marrëdhënie të cilat i shtojnë një vlerë jetës tënde, dhe më pas vendos në plan të parë realizimin e plotësimin dhe jo vlerësimet e marra së jashtmi. Gjithashtu ti mëson të vendosësh edhe të mbrosh pritshmëri realiste duke qënë në dijeni që të luftuarit për të arritur perfeksionin të çon në sfilitje drejt një përpjekjeje “për të kapur erën”dhe ngadalë kupton që gjithcka është “kotësi e kotësive”dhe nis edhe e merr jetën më me ngjyra, më qetë edhe jo aq serjozisht sepse jeta jonë është një kohë e cila duhet shijuar sepse është e limituar në formën që ajo ka këtu në këtë planet.
Kur ti nis e kupton që gjithçka e ka një fund, dhe nuk jeton si një hero i “pavdekshëm” atëherë çdo gjë fillon e merr kuptim të ri. Ti nuk ke më kohë të humbasëh duke ndjekur “tjetrin” por merr kohë për të kuptuar se çfarë ka rëndësi për ty, për botën tënde dhe se si ti mund ta ndash atë me të tjerët. Inkurajimi i komunitetit edhe dhënia e ndihmës për të përmirësuar apo ndihmuar tjetrin janë vepra heroike sepse mbështetja e dyanshme krijon individë më të fortë, më të qëndrueshëm të cilët në mënyrë kolektive mundohen që të japin më të mirën e tyre edhe e bëjnë këtë së bashku dhe jo në izolim duke e ndarë tashmë “veten e re e të ndërtuar”edhe me të tjerët. Një superhero mëson veten edhe të tjerët që të vlerësojnë progresin e çdo hapi në jetë edhe të përqafojnë imperfeksionet e tyre duke i trajtuar ato si një pjesë e rëndësishme e eksperiencës njerëzore për atë kohë që ne kemi për të ndarë me njeri-tjetrin këtu në Tokë. Fundja, jemi thjesht kalimtarë…
Lascia un commento