Yoga e qeshjes – Çfarë është dhe a funksionon?

Yoga e qeshjes është një ushtrim popullor i lëvizjes dhe frymëmarrjes që synon të kultivojë gëzimin, të nxjerrë në pah fëmijën e brendshëm dhe të ndihmojë në largimin e stresit të përditshëm.

Duke pasur parasysh që qeshja është ngjitëse, nuk është për t’u habitur që yoga e qeshjes është themeluar e përhapur nga një grup i vogël në Mumbai, Indi, në mbi 5,000 klube në mbarë botën. Edhe pse mbështetësit pretendojnë se ajo lehtëson stresin dhe ul rrezikun e sëmundjeve kronike, mund të pyesni veten nëse funksionon vërtet.

Ky artikull ju tregon gjithçka që duhet të dini për yogën e qeshjes.

CFARË ËSHTË YOGA E QESHJES

Yoga e qeshjes, e njohur gjithashtu si yoga e të qeshurit, përfshin një seri ushtrimesh lëvizjeje dhe frymëmarrjeje për të nxitur të qeshurën e qëllimshme.

Përdoret si një mjet për trajtimin e shqetësimeve fizike, psikologjike dhe shpirtërore, pasi mbështetësit besojnë se të qeshurit e qëllimshëm (i simuluar) mund të ofrojë përfitime të barabarta me të qeshurit spontan (p.sh., të qeshurit me një shaka).

Edhe pse terapia me të qeshur është përdorur prej dekadash, yoga e qeshjes u zbulua nga Dr. Madan Kataria, një mjek familjar në Mumbai, Indi, në vitin 1995.

Dr. Kataria pohon se yoga e qeshjes ndihmon në ngritjen e humorit, reduktimin e stresit, forcimin e sistemit imunitar, rritjen e niveleve të energjisë, përmirësimin e cilësisë së jetës dhe menaxhimin më të mirë të vështirësive.

Ai beson se mësimi i të qeshurit me qëllim mund t’ju ndihmojë të përballoni situatat stresuese duke nxitur optimizmin dhe pozitivitetin. Duke qenë se nuk mund të mbështeteni gjithmonë te ndikimet e jashtme për t’ju bërë të qeshni, të mësuarit për të qeshur vetë mund të jetë një mjet i çmuar.

Përveç kësaj, besohet se yoga e qeshjes ndihmon në menaxhimin më të mirë të stresit përmes frymëmarrjes së kontrolluar. Kjo lejon një marrje më të madhe të oksigjenit, gjë që aktivizon sistemin nervor parasimpatik, sistemin natyror të relaksimit të trupit tuaj.

Teksa të rriturit janë të zënë për shkak të përgjegjësive të  ndryshme, aktivitetet që nxisin të qeshurën shpesh lihen pas dore. Si rezultat, yoga e qeshjes është krijuar për të mësuar njerëzit si të qeshin me qëllim, në vend që të mbështeten te njerëzit ose gjërat për të sjellë gëzim.

Yoga e qeshjes është e aksesueshme në mbi 110 vende dhe po bëhet gjithnjë e më popullore në internet. Për më tepër, trajnerët e qeshjes tashmë trajnojnë persona të yogës së qeshjes dhe i dërgojnë ata drejtpërdrejt në vende si kampuset universitare, vendet e punës dhe qendrat e jetesës për të moshuarit.

SI PRAKTIKOHET YOGA E QESHJES

Yoga e qeshjes zakonisht praktikohet në grupe, si në klube ose në workshop-e, dhe udhëhiqet nga një instruktor i trajnuar që drejton pjesëmarrësit përmes ushtrimeve të ndryshme për të nxitur argëtimin dhe të qeshurën.

Shumica e seancave fillojnë me teknika të thjeshta frymëmarrjeje, duartrokitje dhe brohoritje për të ndihmuar njerëzit të relaksohen. Për shembull, klasa mund të fillojë duke duartrokitur ritmikisht 1-2, 1-2-3, ndërsa thoni me zë “ho-ho, ha-ha-ha.”

Edhe pse mund të duket pak qesharake në fillim, qëllimi i këtij ushtrimi është të hiqni çdo gjykim të brendshëm që mund të keni dhe të lini egon jashtë derës.

Seanca mund të përfshijë gjithashtu ushtrime improvizimi, thënie të afirmimeve pozitive, shmpirje muskujsh, frymëmarrje yoga dhe meditim. Në tërësi, këto praktika kanë për qëllim t’ju ndihmojnë të qeshni, të çliroheni dhe të mos e merrni veten shumë seriozisht.

A FUNKSIONON YOGA E QESHJES?

Ju ndoshta keni vënë re që të qeshurit ofron përfitime të menjëhershme, si përmirësimi i humorit. Megjithatë, gjithnjë e më shumë vëmendje po i kushtohet përfitimeve afatgjata të të qeshurit të rregullt dhe të përditshëm.

Së pari, të qeshurit çliron endorfina dhe “hormone lumturie” si dopamina dhe serotonina. Për më tepër, shtyp hormonet e stresit si kortizoli. Këto efekte lidhen me një humor më të mirë, ulje të dhimbjes, presion të ulët të gjakut, një sistem imunitar më të fortë dhe nivele më të ulëta të stresit dhe depresionit.

Gjithashtu, të qeshurit me të tjerët mund të rrisë lidhjen dhe afrimitetin social, si dhe të forcojë marrëdhëniet. Kjo ndjenjë bashkësie dhe sigurie ndihmon një person të ndihet më i relaksuar.

Shumë studiues besojnë se trupi nuk e dallon dot të qeshurit e rremë (të simuluar) nga ai i vërteti (spontan), që do të thotë se mund të përfitoni duke detyruar veten të qeshni.

Një rishikim i vitit 2019 zbuloi se të qeshurit e simuluar uli normat e depresionit dhe përmirësoi humorin. Autorët theksuan se ushtrimet e të qeshurit kërkojnë pak aftësi njohëse dhe nuk varen nga humori subjektiv, duke e bërë të lehtë për shumicën e njerëzve pjesëmarrjen.

Studime të tjera kanë treguar se yoga e qeshjes mund të ndihmojë në uljen e përkohshme të niveleve të kortizolit dhe stresit, përmirësimin e humorit dhe niveleve të energjisë dhe nxitjen e një mendësie më pozitive. Në fakt, mund të jetë po aq efektive sa ushtrimet aerobike për reduktimin e stresit të raportuar nga vetja.

Megjithatë, disa ekspertë argumentojnë se mostrat e vogla, subjektiviteti dhe mospërputhja midis studimeve e bëjnë të vështirë të dihet saktësisht se sa e dobishme është yoga e qeshjes për shëndetin fizik dhe mendor. Për këtë arsye, nevojiten më shumë kërkime në shkallë të gjerë.

Gjithashtu, ndërsa yoga e qeshjes mund të ndihmojë në mbështetjen e një shëndeti më të mirë mendor dhe fizik, ajo nuk duhet të zëvendësojë trajtimet aktuale të dhëna nga mjeku juaj. Përkundrazi, mund të përdoret si një plotësues.

Pavarësisht kësaj, përfshirja në yogën e qeshjes nuk ka pothuajse asnjë efekt anësor dhe mund të praktikohet nga njerëz të çdo moshe dhe sfondi.


Për ta përmbledhur, Yoga e qeshjes mund të ndihmojë në uljen e stresit, përmirësimin e mirëqenies, uljen e presionit të gjakut dhe forcimin e lidhjeve me të tjerët.

Përshtatur dhe përpunuar nga: Imena Kërpica

Referencat:

Davidson K. Healthline, Janar, 2021.  https://www.healthline.com/nutrition/laughing-yoga

Lascia un commento

Blog su WordPress.com.

Su ↑