Çfarë ndodh nëse hedh një hap drejt të panjohurës?

– Nga Mirela Tushaj –

Besoj ju ka ndodhur të gjithëve të ndiheni në një udhëkryq, në një ekuacion me shumë të panjohura ku çfarëdo vendimi të merrni elementi “suprizë e këndshme” apo “e pakëndshme” është në pragun e derës. Rrini aty, para pikëpyetjeve dhe e vetmja gjë që ju shkon ndër mend është: “Po tani?”. Ndodheni aty dhe duket sikur koha është ndalur, por në të njëjtin moment, ndjeni që nëse nuk e detyroni këmbën, dorën, shikimin, të ecë majtas apo djathtas apo kudo ku shikoni dyer, do humbisni një mundësi…mundësi për të qenë më shumë me veten tuaj ende të pazbuluar, të lënë mënjanë nga frikërat e shumta që shpesh kyçin suksesin tonë, ose në mos suksesin, kyçin rritjen tonë.

Po çfarë nëse unë nuk dua të rritem? Çfarë nëse nuk dua të arrij një sukses? Jam e lumtur si jam! Kam gjithçka! Përse t’i komplikoj jetën vetes? Në fund të fundit çfarëdo gjëje të arrij, ajo që unë synoj është lumturia.

Ky është reflektimi që bëjmë të gjithë kur jemi në zonën tonë të rehatisë, dhe nuk ka problem të ndihemi kështu. Nuk ka asgjë të gabuar në vetvete në dëshirën për të qëndruar në zonën tënde të rehatisë. Është e natyrshme të dëshirosh të qëndrosh në një mjedis të njohur dhe të sigurt, sepse zona e rehatisë mund të ofrojë stabilitet, qetësi dhe një ndjenjë kontrolli. Secili ka ritmet e veta të rritjes dhe ndryshimit, dhe jo çdo moment i jetës kërkon të dilet nga ajo zonë. Mos të harrojmë që secili ka metrin e vetë për gjithçka. Lumturia, trishtimi, karriera, suksesi, dështimi, dorëzimi, ringritja, e shumë të tjera janë thjesht  ngjyrat që formojnë tablonë e jetës sonë, e cila është individuale, unike. 

Në më të shumtën e rasteve i zgjedhim ne vetë ngjyrat që duhet t’i japim asaj tabloje. Megjithatë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për pasojat: të qëndrosh gjithmonë në zonën tënde të rehatisë mund të kufizojë potencialin për rritje personale, për të mësuar aftësi të reja ose për të eksploruar përvoja që mund të pasurojnë jetën tënde. Nëse zona e rehatisë kthehet në një kurth që të pengon të ndjekësh qëllime ose dëshira më të mëdha, atëherë PO; një hap drejt të panjohurës mund të të bëjë më të fortë, më kreativ, më me vetbesim.

Ajo që ka më tepër rëndësi është që çfarëdo hapi që të zgjedhësh, nuk duhet të jetë domosdoshmërisht drastik. Edhe ndryshimet e vogla mund të sjellin zbulime të habitshme. Mua veçanërisht më kushtoi shumë largimi dy herë nga Shqipëria për të studiuar e punuar në Milano. E çfarë pastaj?! Cilat ishin ato gjera që humba e cilat ato që fitova?

Të them të drejtën nuk humba asgje! Familjen e kam gjithmonë brenda vetes, si pjesë të shpirtit. Miqtë e mirë janë gjithmonë aty për mua, pa kushte e interes. Nga një pjesëz dielli shkoj çdo vit dhe ia bëj dhuratë vetes në bregdetin tonë të mrekullueshëm. Aktivitete që kam bërë në Shqipëri nuk i humba: janë gjithmonë pjesë e formimit tim, në të mirë e në të keq. 

Çfarë fitova? Fitova mundim, sfida, lodhje, frikëra, por në të njëjtën kohë përvoja të reja, miq të rinj, e mbi të gjitha kuptova cilat ishin gjerat që më bllokonin. Kuptova sa këmbëngulëse dhe me vullnet isha. Kuptova sa pak e njihja veten; sa shumë e mbivlerësoja pa kuptuar përse. Ndërsa tani…tani, duke u munduar, sfiduar, luftuar i kam dhënë vetes mundësi ta njoh, ashtu të zhveshur, të brishtë, por në të njëjtën kohë edhe guximtare, dhe dhurata më e madhe që fitova është që më në fund E DUA, mësova si ta dua vërtetë! Vetëm kur e njeh veten arrin ta duash atë; dhe një hap, apo disa hapa drejt të panjohurës është e vetmja mënyrë për të bërë të padukshmen të dukshme, e ta përqafosh me dashuri e dhembshuri duke i thënë:Ia dole vetja ime! Jam krenare për ty!

Por cilat sfida të tjera na ndihmojnë në udhëtimin tonë në këtë botë? Mund të provosh të bësh një përvojë të re: Provo një aktivitet që nuk e ke bërë kurrë më parë, si psh. të regjistrohesh në një kurs, të udhëtosh në një vend të panjohur, ose të provosh një hobi të ri. Fillo një bisede domethënëse me dikë të cilit më parë nuk i kishe kushtuar aq rëndësi. Të flasësh me dikë që nuk e njeh mirë, ndoshta duke ndarë diçka personale ose të thellë, mund të hapë lidhje dhe perspektiva të reja.

Ndrysho diçka nga rutina e përditshme, vazhdimisht. Fillo një projekt krijues. Nëse ke një ide për një libër, një seri fotografish, etj. Ndërmerr një rrezik të kontrolluar, por që ka një element të pasigurisë, si të investosh në një aftësi të re. Përkushtoju një udhëtim të brendshëm si psh. një tërheqje shpirtërore, eksplorimi i teknika të vetë-zhvillimit si terapia ose praktika e yogës etj. Të ndihmojnë për të përballur të panjohurën brenda teje. 

Ndrysho perspektivë: Vendose veten në një situatë që të sfidon të shohësh gjërat nga një këndvështrim tjetër, ndoshta duke marrë pjesë në diskutime me njerëz me ide të ndryshme ose duke lexuar libra që të shtyjnë përtej interesave të tua të zakonshme. Merr një vendim të guximshëm: Per shembull të shprehësh ndjenjat e tua ndaj dikujt (të bukura ose jo). Përballu me një frikë: Nëse ke një frikë specifike, si të flasësh në publik ose të afrosh njerëz të rinj, të bësh hapin e parë për ta përballuar mund të jetë një udhëtim drejt të panjohurës.

Ndoshta është koha të marrësh një vendim: në këtë jetë je pasagjer, drejtues apo kundrues. Do të ishte bukur t’i shijoje të treja. 

Nëntor, 2024

2 pensieri riguardo “Çfarë ndodh nëse hedh një hap drejt të panjohurës?

Aggiungi il tuo

Scrivi una risposta a Lela Tushaj Cancella risposta

Blog su WordPress.com.

Su ↑