Shëmtia e një identiteti të mjegulluar

1

“Mirëdita! Po paraqitem për pozicionin e punës që keni nxjerrë së fundmi. Por do të doja të sqaroja disa detaje. Nuk punoj më vonë se ora 15.00 dhe kam nevojë për fleksibilitet për impenjimet e tjera që kam.”.                                                       

(Heshtje)                                                    

(Habi).                                                     

“Mmm… Më vjen keq! Nuk mund t’ju punësojmë. “

2

“Ma, ba, dua një iphone të ri. Ai që më bletë është model i vjetër. Po më tallin shokët.”                                                    

“Por…”.                                                  

“Maaaa, më shikojnë si varfanjake.”      

 “E dashur, po sikur të të japim ca punë të vogla në shtëpi e ti  fitosh vetë lekët e telefonit të ri?”.                              

“Çfaaaarë?! Shfrytëzim minorenësh! Joooo. E keni për detyrë!” 

3

“Kur u ktheve mbrëmë në shtëpi ? Nuk të ndjeva. Më kishte zënë gjumi”                   

“Unë…, andej nga mesnata. Mbarova vonë në palestër e më pas dolëm pimë nga një birrë, si gjithmonë. Po ti?”.                

  “Mmm, unë mbarova në 4.00, çova fëmijët në kursin e kërcimit dhe u takova me Lizën tek qendra tregtare. Fëmijët i mori mami nga kursi e unë vajta i mora nga ora 22.00. ”                                                    

(zhurmë filxhani kafeje).                 

 “Zemër, kam vënë re që Arti po rebelohet shumë kohët e fundit, ndërsa Eni  rri vetëm mbyllur në dhomën e vet. Që kur kanë filluar të sillen kështu?”         

(kërcitje këmbe karrigeje)                   

 “Nuk e di që kur, por do pyes më mirë mamin. Më shumë i mban ajo se ne…”

Një i ri, një fëmijë, dy prindër…Ata më sipër janë shqiptarë? Me shumë gjasa po. 

Në disa situata se ç’më vjen ndër mend komedia  “8 persona plus”. A ju kujtohet? Një familje shqiptare në përpjekje për t’u dukur moderne kthen përmbys gjithë mobiljet e shtëpisë dhe fillon të vishet ndryshe duke aluduar se kjo është moda europiane.  Batuta të tilla si: “O teze, e di ti? Njerëzit që sot e tutje nuk do të ecin më si zakonisht. Që sot e tutje do të ecin me kokë poshtë, kështu që nuk do të konsumojnë më këpucë, por dorashka.” Ironike apo jo?

Lufta e vazhdueshme me inferioritetin tonë, shpesh na bën të përqafojmë pa filtra modele e shembuj që realisht nuk na përkasin neve. Neve…një populli aq të vogël që me çdo kusht përpiqet t’u trgojë popujve të tjerë se sa të madhërishëm jemi, sa të lashtë, sa me gjuhë të vjetër, me tradita e zakone. Dhe deri këtu, kuptohet, jemi duke vazhduar të njëjtën rrugë që ndoqi Partia Komuniste e Shqipërisë për të ndërtuar e lartësuar identitetin kombëtar e për të rritur krenarinë. Por nëse identiteti dhe krenaria janë të domosdoshme në ndërtimin e forcimin e një kombi, rezultojnë po aq të dëmshme në verbimin e tij. 

Nëse pas viteve ‘90 u gjendëm para një europe që nuk na pranonte, atëhere cili është ndryshimi me situatën e tanishme? Jemi në prag të 2025 e sërish Europa nuk na pranon. Kuptojmë që Europa nuk ndryshon. Po ne, çfarë kemi ndryshuar? 

Para viteve ‘90 varfëri, mungesë lirie, injorancë, por krenari e lartë kombëtare. Pas viteve ‘90 varfëri, mungesë lëvizjeje e lirë,  braktisje shkolle në masë, zbehje e krenarisë kombëtare, sfilitje për të ruajtur vlerat dhe dëshirë e madhe për të qenë si gjithë europa. Në vitet e fundit braktisje e vendit në masë, krenari e lartë kombëtare, origjinalitet dhe identitet intelektual i përdhunuar, fokusim në folklor dhe shterrje artistike në masë. 

Kushdo që do lexojë këto rreshta, jam e sigurt që do shtojë a do heqi edhe gjera të tjera. Po ia lë lirisë së kujtdo të mendojë a të kujtojë çfarëdo i ringjallet kur kthehet pas në kohë. Për sa më përket mua, qytetares shqiptare e cila nuk do heqë kurrë dorë nga shtetësia e vet, mendoj se dy-tre fjalë reflektimi i kam pë detyrë morale t’i them. 

Është e vërtetë që ne shqiptarëve, të huajt na janë dukur gjithmonë më të mirë. I kemi parë përherë me adhurim dhe në diskutimet tona dëgjoheshin shpesh fjali si psh. “Ua, shiko sa bukur vishen”. “Sa të qetë e të qeshur janë.”. “Ka lezet kur flasin”. “Më bli ca veshje andej se këto këtu nuk bëjnë”. E për më tepër, kush punonte me të huaj a shoqërohej me ta, ndihej i privilegjuar dhe më lart se të tjerët.

 E megjithatë, kurrë nuk kuptuam që inferioriteti ynë na bënte të mos pranojmë njëri-tjetrin e për më keq as veten tonë. E ndoshta problemin nuk e ka europa që nuk na pranoi kurrë; problemi jemi ne që nuk pranuam e nuk e deshëm asnjëherë mjaftueshëm veten. E gjitha kjo u kthye ndër vite kundra nesh. E tani për të mbijetuar kapemi vetëm pas ideve se çfarë ishim, por nëse duhet të ecim përpara e të kalojmë kufirin e mbijetesës na duhet të ndërtojmë të tashmen. 

Çfarë jemi? Si ndërtohet e tashmja? Oh, sigurisht që unë nuk jam eksperte ekonomie, e as nuk dua të shtirem si sociologe profesioniste, por pa hezitimin më të vogël besoj se duhet ta nisim nga të nxjerrit në pah të gjerave të mira që ka shoqëria jonë e gjithësecili prej nesh. Dhe, të jeni të sigurt që kemi shumë. 

Imitimi krejtësisht i modeleve të krijuara në shoqëri ndryshe nga jona nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron atë që na ka mbajtur në këmbë deri tani. Asnjë komb nuk është kopje e një tjetri, e si rrjedhojë secili prej tyre ka zhvillime të ndryshme. Ne, jo vetëm që kemi tendencën e një copy mekanizmi perfekt, por kësaj i shtojmë edhe inferioritetin i cili shfaqet në mënyrë të kristaltë tek babëzitja për pasuri gjiganteske, luks e aparencë…, a thua do jemi të përjetshëm.

Çfarë vura re në eksperiencën time në europë e më tej? Vura re që betejat e tyre nuk janë të gjitha të njejta me tonat. Vlerat e tyre kanë ndryshime nga vlerat tona. Ritmet e tyre dallojnë nga ritmet tona. Çdo shtet ka avantazhet dhe dizavantazhet e veta; të bukurat e të shëmtuarat e veta; shkëlqimin e zvenitjen e vet; të vërtetat e të fshehtat e veta. Jemi shumë ndryshe nga ata e në të njëjtën kohë jemi njesoj. 

Në fund kuptova që vërtetë, identiteti im është “shqiptare”, por vetja ime është ajo që unë vendos të jem. Dhe unë kam vendosur të nis e të rinis duke marrë gjerat e mira nga kushdo që më shoqëron në rrugën time. Jo kopje nga europa, por reflektime. Jo trashgimni traditash, por selektime.  

Urimi im? Asgjë më shumë a më pak sesa “Bëjini gjerat në atë mënyrë që të ndiheni mirë me veten e krenarë për të.” 

Shkruar nga: Mirela Tushaj

Lascia un commento

Blog su WordPress.com.

Su ↑